Politika e privatësisë
Versioni 2026-11 (përditësuar për versionin 1.3). Shendora është një platformë për të gjetur profesionistë shëndetësorë të verifikuar në Shqipëri dhe për të rezervuar takime me ta. Kjo politikë shpjegon cilat të dhëna mbledhim, pse dhe cilat janë të drejtat e tua.
Kush është përgjegjës
Përgjegjës për përpunimin e të dhënave (kontrollues) është Shendora. Për çdo pyetje ose kërkesë për të dhënat e tua na shkruaj te shendora@proton.me.
Çfarë të dhënash mbledhim
- Llogaria: emri, mbiemri, email-i, telefoni, qyteti dhe një foto profili (opsionale). Për të rezervuar duhen emri, mbiemri dhe telefoni.
- Takimet: profesionisti, shërbimi, data dhe ora, mënyra (në klinikë ose online), statusi, shënimi që shkruan ti kur rezervon dhe propozimet e profesionistit për një orë tjetër.
- Të dhënat e shëndetit (opsionale): data dhe vendi i lindjes, gjinia, gjatësia dhe pesha, grupi i gjakut, alergjitë, sëmundjet, mjekimet, vaksinat, operacionet, implantet dhe pajisjet mjekësore, shtatzënia, duhani dhe alkooli, shënimet dhe kontakti i emergjencës, vetëm nëse i plotëson ti. Administrata nuk i sheh kurrë.
- Takimet që shënon profesionisti: kur dikush i telefonon, profesionisti mund të shënojë emrin dhe telefonin e tij për ta mbajtur orën. Këto të dhëna i sheh vetëm ai profesionist.
- Mesazhet që shkëmben me profesionistët përmes aplikacionit.
- Vlerësimet që lë pas një vizite.
- Pyetjet për profesionistët që bën nga profili i tyre dhe përgjigjet e tyre.
- Mesazhet për mbështetjen që na dërgon te Mbështetja → Na shkruaj: teksti, versioni i aplikacionit dhe, nëse nuk ke llogari, email-i ose telefoni që na lë për të të përgjigjur. I lexon vetëm administrata.
- Pajisja: një identifikues për njoftimet push dhe versioni i aplikacionit.
- Statistika anonime (mund t'i çaktivizosh): numërojmë pa emër dhe pa identifikues sa kërkime bëhen për çdo specialitet dhe qytet (jo tekstin që shkruan), sa herë shfaqet dhe hapet një profil dhe çfarë preket aty (telefono, udhëzime, web, mesazh, ndaj, ruaj, rezervo). Për çdo seancë ruajmë një identifikues të rastësishëm të instalimit (jo të llogarisë), kohëzgjatjen, numrin e ekraneve, modelin e iPhone, versionin e iOS dhe të aplikacionit, nëse je në Wi‑Fi apo të dhëna celulare, modalitetin e errët, madhësinë e tekstit, nëse njoftimet janë aktive, nëse ke hyrë në llogari dhe nëse je në modalitetin pacient apo profesionist. Nuk përfshijnë kurrë të dhëna shëndeti, lëvizjen apo vendndodhjen e telefonit dhe nuk përdoren për reklama. Mund t'i çaktivizosh te Profili → Privatësia → Statistika anonime.
- Vendndodhja: vetëm kur shtyp «Afër meje». Përdoret në pajisjen tënde për kërkimin dhe nuk ruhet në serverët tanë.
- Për profesionistët: të dhënat e profilit publik, numri i licencës dhe dokumentet e verifikimit, që ruhen private.
Pse i përdorim
- Për të ofruar shërbimin: llogaria, takimet, mesazhet, vlerësimet dhe njoftimet janë të nevojshme për të përdorur platformën.
- Me pëlqimin tënd: të dhënat e shëndetit (dhe ndarja e tyre me profesionistin e një takimi), njoftimet push dhe vendndodhja. Pëlqimin mund ta tërheqësh kur të duash nga aplikacioni.
- Interes legjitim: statistikat anonime, që profesionistët të shohin sa interes ka për profilin e tyre dhe ne të kuptojmë si përdoret dhe si përmirësohet aplikacioni.
- Për siguri dhe detyrime ligjore: parandalimi i abuzimit, moderimi i vlerësimeve, ruajtja e historikut të takimeve dhe përgjigjja ndaj kërkesave të autoriteteve.
Kush i sheh të dhënat e tua
- Profesionisti me të cilin ke takim sheh emrin, mbiemrin dhe telefonin tënd, vetëm për takimet me të. Nuk sheh takimet me profesionistë të tjerë.
- Kartela shëndetësore: profesionisti e sheh vetëm nëse ti zgjedh ta ndash për atë takim (kur rezervon ose më vonë nga takimi), dhe vetëm deri 30 ditë pas takimit. Mund ta heqësh kur të duash. Çdo herë që e hap regjistrohet dhe ti e sheh te takimi.
- Për takimet online, videotelefonata bëhet jashtë Shendora, me shërbimin që zgjedh profesionisti (p.sh. Google Meet, Zoom, WhatsApp), sipas kushteve të atij shërbimi.
- Vlerësimet shfaqen publikisht me pseudonim («Emri K.» ose «Pacient anonim»). Emri i plotë nuk shfaqet kurrë.
- Pyetjet: profesionisti sheh vetëm tekstin e pyetjes, jo emrin tënd. Pyetja dhe përgjigja publikohen në profilin e tij pa emrin tënd, vetëm kur ai përgjigjet.
- Raportimet: kur raportohet një bisedë, administrata lexon mesazhet e fundit të saj vetëm për ta shqyrtuar. Kur raportohet një vlerësim ose një përgjigje, administrata sheh vlerësimin, autorin dhe përgjigjen.
- Ofruesit teknikë: Supabase (bazë të dhënash dhe ruajtje skedarësh, serverë në Frankfurt, Bashkimi Evropian) dhe Apple (hyrja me Apple ID dhe dërgimi i njoftimeve push). Nuk shesim të dhëna dhe nuk ua japim reklamuesve.
Njoftimet
Teksti i njoftimeve nuk përmban kurrë specialitetin, shërbimin, arsyen e vizitës apo emra. Përmban vetëm ditën dhe orën e takimit ose faktin që ke një mesazh të ri.
Sa kohë i ruajmë
- Llogaria ruhet derisa të kërkosh fshirjen. Pas kërkesës ke 30 ditë për ta anulluar; më pas të dhënat personale anonimizohen.
- Takimet dhe vlerësimet mbeten të anonimizuara (pa emrin tënd) për integritetin e historikut të profesionistit.
- Mesazhet arkivohen dhe nuk fshihen, për mbrojtje në rast mosmarrëveshjeje; autori shfaqet si «Pacient i fshirë».
- Dokumentet e profesionistëve të refuzuar ruhen 12 muaj.
- Mesazhet për mbështetjen fshihen pas 12 muajsh, ose kur fshin llogarinë.
- Pyetjet që ke bërë fshihen kur fshin llogarinë.
- Seancat e statistikave fshihen pas 13 muajsh. Numrat pa identifikues ruhen pa afat; ata të lidhur me profilin e një profesionisti fshihen kur ai fshin llogarinë.
Të drejtat e tua
- Të shohësh dhe korrigjosh të dhënat e tua te Profili.
- Të marrësh një kopje të të dhënave te Privatësia → Eksporto të dhënat e mia.
- Të fshish llogarinë te Privatësia → Fshi llogarinë.
- Të tërheqësh pëlqimin për njoftimet, të ndalosh ndarjen e kartelës me një profesionist ose të fshish të dhënat e shëndetit kur të duash.
- Të ankohesh te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Për çdo kërkesë na shkruaj te shendora@proton.me; përgjigjemi brenda 30 ditëve.
Siguria
Të dhënat udhëtojnë të enkriptuara. Çdo rresht i bazës së të dhënave ka kontroll aksesi: një përdorues sheh vetëm të dhënat e veta dhe ato që i duhen për takimet e tij. Dokumentet e profesionistëve ruhen në një hapësirë private dhe çdo veprim administrativ regjistrohet.
Mosha
Shendora është për persona mbi 18 vjeç.
Ndryshimet
Versioni i politikës që ke pranuar ruhet me llogarinë tënde. Nëse ndryshon diçka e rëndësishme, do ta shohësh në aplikacion para se të vazhdosh.